11,9 milionë euro subvencione për 13.697 fermerë
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka nisur procedimin për ekzekutimin e subvencioneve të 13697 fermerëve në vlerë prej 11,891,328.14 euro. Subvencionimi do të bëhet për dy kategori, pagesa direkte për sipërfaqe për personat fizik, në vlerë prej 8,097,061.22 euro, për blegtori 3,102,635.00 euro dhe për personat juridik-agrobizneseve në vlerë prej 513,842.57 euro për sipërfaqe të mbjella dhe pagesa direkte për blegtori në shumën prej 181,126.70 euro. Lista e përfituesve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2019, është përgatitur pas kontrollës së mirëfilltë administrative dhe superkontrollave në teren. Ndonëse Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, ka thënë se kjo agjenci gjatë gjithë kohës së procesit vlerësues ka qenë dhe do të jetë transparente me të gjithë, megjithatë i ka informuar fermerët përmes sms-ve dhe vendimeve në e-mail, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin vlerësues. “Do të vazhdojmë të jemi transparentë me të gjithë, andaj nuk do të ketë mundësi për manipulime. Lista e përfituesve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2019 është përgatitur me mjaftë profesionalizëm” ka thënë z. Gjokaj. Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elbin, për thekrën, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, për bletari, për derrari, për thëllëza, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur dhe në serra, për vreshtat ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidanë të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit. Po ashtu, subvencionim ka edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht, për primin e sigurimit bujqësor për kulturën bujqësore të mjedrës, si dhe për sasinë e dorëzuar/shitur të duhanit.