Ministria e Bujqësisë hap fazën e aplikimit për grante në përpunimin e prodhimeve bujqësore

Prishtinë, 15 mars 2016  -  Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga sot fazën e aplikimit për grante për projekte që ndërlidhen me përpunimin e produkteve bujqësore në disa sektorë si: sektorin e përpunimit të qumështit, sektorin e përpunimit të mishit, sektorin e përpunimit të pemëve dhe perimeve, si dhe sektorin për prodhimin e verës. Këta sektorë mbështeten në kuadër të Masës 103 - Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore që ka një buxhet prej 5 milionë eurove. Në këtë masë mbështetën kryesisht fabrika dhe agrobiznese që merren me përpunim dhe shuma maksimale e mbështetjes së një projekti nga ana e MBPZHR-së është 200 mijë euro. Afati për aplikim për këtë masë fillon nga sot dhe përfundon më 25 prill 2016. 


Më herët Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur fazën e aplikimit për grante në prodhim, Masa 101, diversifikim Masa 302 dhe Masën e Ujitjes së Tokave Bujqësore. Duke përfshirë këto masa si dhe masën e përpunimit buxheti total i paraparë është 23 milionë euro. 


Në ditët në vazhdim, MBPZHR-ja pritet të hapë fazën e aplikimit edhe për subvencione, ku edhe aty është paraparë një buxhet prej 23 milionë eurove. 


Për më shumë informata, lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e vlerësimit qytetarët mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.