Ministria e Bujqësisë hap periudhën për aplikim për grante investive në bujqësi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që nga sot ka hapur periudhën për aplikim për disa masa mbështetëse në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ku kjo përkrahje përmes granteve investive do të jetë për fermerët në gjithë territorin e Kosovës.

 

Thirrjet për aplikim janë hapur për masën 101, përmes së cilës përkrahen investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore në disa sektor të bujqësisë, për masën 302, përmes së cilës përkrahen investimet për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve, masën 103 përmes së cilës përkrahen investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore, si dhe masën për ujitjen e tokave bujqësore.

 

Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, MBPZHR-ja ka ndarë një buxhet prej 23 milionë eurove dhe afati për aplikim për masat e shpallura më 6 shkurt 2017 do të zgjasë deri më 20 mars 2017.

 

Gjatë periudhës për aplikim, fermerët dhe agrobizneset për të gjitha informatat lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e vlerësimit mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

 

Ndryshe, në ditët në vazhdim, MBPZHR-ja pritet të hapë fazën e aplikimit edhe për subvencione.