Njoftim për opinionin
Prishtinë, 25.11.2024
Pas aplikimit dhe procedimit administrativ të aplikacionit së bashku me dokumentet përcjellëse të dorëzuara në mënyrë të rregullt nga ana e aplikuesve për përkrahje sipas Programit për Zhvillim Rural, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, gjatë vlerësimit dhe procedimit të lëndës, sipas legjislacionit në fuqi, pa ndërhyrje a rekomandime nga palë të treta, është njoftuar nga mediat lidhur me pretendimet për parregullsi.
Si rezultat i këtyre pretendimeve, kemi kërkuar që të trajtohet çështja nga Agjencia Anti-Korrupsion për shqyrtimin e konfliktit të interesit. Po ashtu lëndët e apostrofuara nga mediet janë në proces të auditimit të brendshëm.
Në procedurën administrative kjo është një çështje juridike e pavarur, zgjidhja e së cilës është nën juridiksionin e organeve të tjera dhe është parakusht për zgjidhjen e çështjes kryesore e iniciuar në procedurë administrative.
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në mbështetje të nenit 85, të Ligjit Nr. 05/L-031 Për Procedurën e Përgjithshme Administrative ku është përcaktuar se: “1. Kur organi publik që zhvillon procedurën has në një çështje, zgjidhja e së cilës është parakusht për zgjidhjen e çështjes kryesore dhe e cila përbën një çështje juridike të pavarur (në vijim: ”çështje paraprake”), për zgjidhjen e së cilës është kompetente një gjykatë apo organ tjetër, organi publik që zhvillon procedurën do të pezullojë çështjen kryesore, deri sa çështja paraprake të jetë vendosur dhe do të njoftojë palën për vendimin e pezullimit.”, si dhe në Nenin 7 paragrafi 4 të Kontratës për financim, ku është përcaktuar që në çdo kohë, në rast të ndonjë dyshimi, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë mund të suspendojë përkohësisht kontratën dhe pagesat, si masë paraprake.
Andaj nga ajo që u deklarua me lartë, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, ka pezulluar përkohësisht procedurën administrative, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje, nga organet si Agjencia Anti-Korrupsion. Për të njëjtat lëndë është kërkuar auditim i brendshëm.
Pasi të jetë vendosur çështja paraprake, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë do të procedojë me lëndët, konform dispozitave ligjore dhe akteve nënligjore në fuqi.