Realizohen pagesat e subvencioneve të fermerëve për Sipërfaqe dhe Blegtori
Prishtinë, 08 tetor 2019
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, respektivisht Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë realizuar pagesat për Pagesa Direkte (subvencione) për Sipërfaqe dhe Blegtori.
“Nga Departamenti i Thesarit në Ministrinë e Financave, jemi njoftuar se janë realizuar pagesat për përfituesit e Pagesave Direkte (subvencione) për Sipërfaqe dhe Blegtori” ka thënë z. Ekrem Gjokaj, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Numri total i përfituesve për Sipërfaqe është 10916 fermerë, në vlerë totale prej 8,097,061.22 euro. Ndërsa numri total i përfituesve për Blegtori është 4152 fermerë, në vlerë 3,102,285.00 euro.
AZHB njofton se për shkak të numrit të madh të përfituesve nëpër lista - sipas Departamentit të Thesarit, pagesat e lartpërmendura do të finalizohen nëpër llogaritë bankare të fermerëve brenda javës.