REALIZOHEN PAGESAT PËR SUBVENCIONE PËR BLEGTORI TË LISTËS SË V-të
Prishtinë, 23 mars 2020 - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, respektivisht Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë realizuar pagesat për fermerët përfitues për Pagesa Direkte (subvencione) për Blegtori. Zyrtarë nga Divizioni i Financave bëjnë të ditur se nga Thesari janë realizuar pagesat e listës së V-të.
Përfitues të subvencioneve për Blegtori janë gjithsej 1663 fermerë, në vlerë totale 1,803,031.86 euro.
Njëherësh ditë më parë Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka kërkuar intensifikimin e realizimit të pagesave për fermerët përfitues të granteve dhe subvencioneve nga viti 2019. Saktësisht, gjatë kësaj jave janë realizuar pagesat për 33 fermerë përfitues të granteve në vlerë prej 642.909,89 euro dhe pagesat për 1.669 fermerë përfitues të subvencioneve në vlerë prej 1.812.977,06 euro. Pra, gjithsej janë realizuar pagesat për 1.702 fermerë në vlerë prej 2 milion e 456 mijë euro.
Ndërkaq në konferencën e mbajtur sot me gazetarë, ministri njoftoi se në koordinim të vazhdueshëm me homologët e tij në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, ka arritur të sigurojë koridor të furnizimit me ushqim për blegtorinë dhe shpeztarinë, duke evituar kështu një krizë për këta dy sektorë.
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë njofton se përkundër situatës së krijuar në vend me përhapjen e virusit Corona COVID-19, do të punoj në mënyrë që të gjithë fermerët përfitues të subvencionohen me kohë. Njëherësh apelon për të gjithë fermerët që t’iu përmbahen rregullave drejt ruajtjes së shëndetit publik të qëndrojnë në shtëpi. Ndërkaq kontaktet me zyrtarët e AZHB-së t’i bëjnë vetëm me metodën online.