Shënohet tradicionalisht “Dita e Mollës”
23 shtator Kovragë
Dita e mollës tashmë tradicionalisht po shënohet në vendin tonë. Kooperativa “AgroKovraga” & ‘Pema” në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Kuvendit Komunal të Istogut, më datën 23 shtator organizon ditën tradicionale të vjeljes së mollës në fshatin Kovragë të Komunës së Istogut. Si çdo vit tjetër edhe këtë vit “Dita e Mollës” u shënua me mjaftë aktivitete. Të pranishëm përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë ishin edhe përfaqësuesit e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, fermerë të ndryshëm nga i gjithë vendi. Të pranishmit u ndanë të kënaqur me këtë organizim, duke shpresuar që në të ardhmen të rriten edhe më shumë siperfaqet të mbjellura me pemë. Nazmi Blakaj nga Kovraga e Istogut, ka kohë të gjatë që merret me kultivimin e mollës. Të mbjella në këtë plantacion ka rreth 17 hektarë, me rendiment deri në 800 tonë në vit. Nga kjo veprimtari z. Blakaj nxjerrë mjaftë përfitim për faktin se arrinë të mbuloj pjesën dërmuese të tregut vendor. Mbështetje të mirë konsideron edhe ndihmën me subvencione nga MBPZHR respektivisht nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila çdo vit ndihmonë fermerët të zhvillojnë veprimtarinë e tyre bujqësore. z. Blakaj ka shumë vjet që ka koperativën “AgroKovraga” & “Pema” dhe çdo vjet e më shumë mundohet që organizmin e ditës së mollës ta realizoj sa më mirë. “Këtë ditë e cilësoj si mjaftë të rëndësishme, pasi që kjo është një mundësi e mirë për të gjithë fermerët për të rritur punën dhe përfitimet e tyre. Falënderoj Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila çdo herë ka qenë e gatshme për ndihmë dhe bashkëpunim” ka thënë z. Blakaj. Krahas mbështetjes institucionale, janë shtuar sipërfaqe të mbjella me pemë, e që deri më tani sipas të dhënave nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, sektori i pemëve përfshinë një sipërfaqe prej 8786 hektarë.