Takim rreth Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK)

Zv. Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, z. Agim Nuha, ka pritur në takim përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Takimi kishte për qëllim, diskutimet rreth finalizimit të Draft-Memorandumit, i cili është përpiluar mbi bazën e konsultimeve, diskutimeve dhe angazhimeve konkrete të marra nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Qëllimi i këtij Memorandumi është krijimi i bashkëpunimit, koordinimit si dhe shkëmbimit të informatave në mes palëve nënshkruese të këtij Memorandumi, në lidhje me shkëmbimin e ndërsjellë  të të dhënave dhe informacioneve. 

Ky Memorandum do të ngritë nivelin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet ATK dhe AZHB, si dhe shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve, sipas nevojave institucionale, që mund të përmirësojnë identifikimin dhe vlerësimin e shfaqjeve të punës së padeklaruar dhe të lehtësojë punën e AZHB-së dhe fermerëve për qasje ne dokumentacionin e nevojshëm nga ATK. 

Po ashtu, Memorandumi do të vendosë procedurat, kushtet dhe kriteret për lehtësimin dhe shkëmbimin e informatave nëpërmjet kanaleve të sigurta ndërmjet AZHB-së dhe ATK-së.